TIRANE - A1 Report ka siguruar një hartë të rrugëve që për shkak të numrit të madh të aksidenteve quhen ?rrugët e vdekjes?. Nga Shkodra në Lezhë, nga Tirana në Durrës, nga Lushnja në Fier dhe nga Korça në Gjirokastër rrugëtimi me makinë është gjithnjë një rrezik me pasojë vdekje.
Ministria e Transporteve ka zbardhur 240 ?pikat e zeza? të rrugëve Shqiptare ku kanë ndodhur pjesa dërrmuese e mijëra aksidenteve rrugore në vendin tonë. Pjesa më e madhe e këtyre pikave është përqendruar përreth zonave me dendësi të lartë popullsie si Tirana e Durrësi.
Këto 240 ?pika të zeza? janë përgjegjëse për 300 jetë të humbura dhe për 400 persona të gjymtuar.
Ministria e Transporteve raporton se numri mesatar i vdekjeve në vit nga 2009 në 2012 është 347, ndërkohë që nga viti 2013 e deri tani ka njëfarë rënie me 2075 aksidente rrugore mesatarisht. Numri i aksidenteve rrugore, konsiderohet shqetësues përkundrejt numrit të vogël të popullsisë.
Sipas të dhënave mbi aksidentet e ndodhura këto 5 vjetët e fundit, rezulton që në vendin tonë, numri mesatar i aksidenteve fatale për 10.000 mjete, është 10 ?12, përkundrejt 5,5 që e kanë vendet e Europës Qendrore e Lindore, pra rreth 2 herë më i lartë.
Në kryeqytet, ku vërehet edhe dendësia më e madhe e pikave të zeza regjistrohen mesatarisht 649 aksidente, 44 prej të cilëve me pasoja fatale për jetën. Bilanc po kaq të rëndë paraqet edhe Elbasani, Shkodra dhe Durrësi.
Në analizën për shkaqet e aksidenteve Ministria e Transporteve fajëson vjetërsinë e mjeteve që në shumicën e rasteve i kalojnë 10 vite. Për këtë arsye sipas analizës ndodhin 86,2 % e aksidenteve. Ndërkohë që sipas Ministrisë së Transporteve, agresiviteti i drejtimit të mjetit rrugor është fenomeni më i rrezikshëm prezent në situatën aktuale, gjë që vihet re në të dhënat e aksidenteve për këto vitet e fundit, ku rreth 66,5% e aksidenteve janë pasojë e sjelljes jo korrekte të drejtuesve të mjeteve.