TIRANË - Prej afro një jave ambientet e Ministrisë së Brendshme i janë nënshtruar një rikonstruksioni. Janë lëvizur një sërë pajisjesh, jo vetëm ato por edhe zyrat e administratës, përfshi edhe zyrën e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri.
Një pjesë e stafit është vendosur tek ish-lidhja e shkrimtarëve, godinë e përdorur si Ministri Kulture deri para pak kohësh dhe një pjesë te garda e Republikës. A1 Report ka mësuar se ky rikonstruksion do të zgjasë për afro 5 muaj me një vlerë totale prej 1.6 milionë euro. Rikonstruksioni do të përfshijë nga bodrumet, gjithçka në ambientet e brendshme deri në tarracë.
Një tjetër informacion i disponuar nga A1 Report është se në sallat e reja do të ketë salla konferencash, qendra operative monitorimi, si ajo e emergjencave civile por edhe e narkotrafikut.