TIRANE - Policia e Shtetit ka intensifikuar veprimet hetimore sa i përket zbardhjes së vrasjes së Artan Santos, bankierit të ekzekutuar një vit më parë në qendër të kryeqytetit teksa po hynte në zyrën e tij.
Ky fakt është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për hetimin e krimeve Ardian Çipa.
I kontaktuar nga televizioni A1 Report, Çipa konfirmoi se ka një intensifikim të veprimeve nga 3 grupet hetimore të cilat në bashkëpunim me prokurorinë kanë arritur të ngushtojnë rrethin e autorëve të dyshuar.
Ai po ashtu konfirmoi se finalizimi i veprimeve pritet të ketë një rezultat konkret për prangosjen e autorëve të dyshuar, të cilët rezultojnë të jenë dy shtetas shqiptar vrasës me pagesë.
Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur për shkak të sekretit hetimor, ndërsa disa përgjime të muajit korrik kanë nxjerrë në pah se ata janë shqiptar dhe ekzekutimi i Santos dyshohet se ka qenë i porositur.
Bankieri Artan Santo u qëllua me armë zjarri pistoletë mëngjesin e 26 qershorit të vitit të kaluar, kur sapo kishte zbritur nga vetura e tij.
Santo u qëllua nga dy persona që lëviznin me motor, tek sapo i drejtohej zyrës së tij në qendër të bllokut. Që nga ajo kohë, policia ka shoqëruar dhjetëra persona të dyshuar apo që mund të kenë dijeni për vrasjen, por që ka mbetur e pa zbuluar.
Pas vrasjes së bankierit me urdhër të Prokurorisë së Tiranës janë mbajtur nën përgjim mbi 200 persona të cilët janë në listën e gjatë të të dyshuarve si porositës apo ekzekutorë të bankierit, përfshi këtu biznesmen të njohur, politikanë si dhe personazhe të botës së krimit.
Policia dhe prokuroria kanë mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e tyre në mënyrë që të bien në gjurmë të vrasësve ende misteriozë të Santos.