A1 Report - A1Report zbardh rekursin, Arben Frroku 7 pyetje për prokurorinë

2015-08-22 0

TIRANE - A1Report ka siguruar kopje të rekursit që biznesmeni Arben Frroku, i dënuar përjetë,ka depozituar nga arratia në Gjykatën e lartë. Ai kërkon pafajsinë duke u shprehur se është dënuar padrejtëisht për vrasjen e kryepolicit Dritan Lamaj.

Avokatët Tonin Prendi e Genci Gjokutaj, duke e cilësuar vendimin e datës 29 qershor të viti 2015 të Gjykatës së Apelit si të padrejtë, ngrenë pretendimet për 7 fakte që sipas tyre, prokuroria nuk ka mundur të gjejë prova apo të bëjë hetime të plotë.

Në bazë të rekursit, organi i Akuzës nuk mundi të provojë motivin që ka shtyrë Arben Frrokun të kryejë vrasjen, nuk provoi mekanizimin e kryerjes së vrasjes, nuk u provua prania e Frrokut në vendin e ngjarjes më 24 shkurt 2013.

Më tej në pikën 3 dhe 5 të rekursit avokatët pretendojnë se veprimet e prokurorisë janë të paplota, pasi sipas tyre, është e pamundur të merret i pandehur Arben Frroku dhe të mos merret i pandehur Jak Jaku, i cili ka qenë në shoqërinë e Frrokut.

Kjo sipas tyre, e provuar me pamje filmike deri në pikën e kalimit kufitare Kapshticë dhe zbardhjen e tabulateve telefonike.

Në lidhje me deklaratat e dëshmitarit Arben Ndoka, rekursi sqaron se ky shtetas ka pasur njohje me vëllezërit Frroku dhe gjithçka e ka bërë me qëllim për të marrë shumën monetare duke ditur konfliktin e viktimës me Arben Frrokun.

Frroku është në arrati prej më shumë se 3 javësh ndërsa ndaj tij rëndon dënimi me burg përjetë për vrasjen e ish kryepolicit të kombinatit Dritan Lamaj, më 24 shkurt të 2013.