A1 Report - Auditimi i fushatës për partitë mbi 20 ekspertë kërkesë në KQZ

2015-08-22 2

TIRANE - Pas kërkesës së KQZ për ekspertë auditues, A1 Report konfirmon se janë regjistruar të paktën 20 të tillë të cilët, do të monitorojnë fondet e partive politike në fushatë.

Siç e parashikohet në ligji, tashmë shqetësimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është zgjidhur. Mësohet se nga lista prej 121 audituesish që janë në institutin e ekspertëve kontabël të autorizuar, kanë shfaqur interes më shumë se 20 të tillë ndërsa kanë afat për të dorëzuar kërkesë në KQZ deri me datën 3 gusht.

Në bazë të parashikimeve ligjore të kodit zgjedhor në nenin 92 të tij thuhet se ekspertët duhet të kenë eksperiencë në fushën e auditimit për të paktën 5 vjet, ndërsa pjesë e shortit duhet të jenë të paktën 20 auditues, shifër kjo e tejkaluar tashmë.

Kërkesa duhet të shoqërohet me një deklaratë në të cilën sqarohet se nuk ka qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie gjatë 5 viteve të fundit, nuk ka qenë kandidat në zgjedhje si dhe nuk ka lidhje familjare me drejtuesit e partive politike.

Pas depozitimit të kërkesës, sipas parashikimeve të nenit 91 të Kodit Zgjedhor, jo më vonë se 5 ditë nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, KQZ emëron me short ekspertët kontabël për të kryer auditimin e fondeve të përfituar dhe të shpenzuara nga partitë politike për fushatën zgjedhore.

Pas këtij momenti partitë politike janë të detyruara të japin informacionin e duhur për ekspertët kontabël lidhur me financimin e fushatës zgjedhore.