Fëmijët shqiptarë të Malit të Zi që do të shkojnë për herë të parë në shkollë do të mësojnë gjuhën shqipe me abetaren e njehsuar kombëtare.
Lajmin e mirë e dha në Ulqin kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili mori pjesë në ceremoninë e hapjes së panairit të librit në Mal të Zi.
Panairi i 15-të i librit që po mbahet në plazhin e vogël të Ulqinit në Malin e Zi ka bërë bashkë politikanë, shkrimtarë e akademikë nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova e Maqedonia.
Më tej Meta tha se librat e mirë janë ata që e bëjnë botën më të mirë dhe i ndihmojnë njerëzit që të bashkojnë vlerat e tyre më të mira. Meta e ka quajtur këtë panair si një bashkim që këtyre vendeve ua ofron libri, duke e cilësuar atë si një bashkim shumë të fuqishëm e domethënës për të ardhmen e përbashkët të këtyre vendeve drejt BE-së
" Është hera e parë për mua që marr pjesë në këtë panair tashmë të konsoliduar, të përvitshëm të librit në Ulqin dhe natyrisht që është një eksperiencë e re për mua, por aspak për shumicën tuaj dhe sidomos për qytetarët e Ulqinit?, - tha Meta.
Kryetari i Kuvendit evidentoi fuqinë e jashtëzakonshme, që sjell kultura e libri për bashkëpunimin dhe tolerancën.
?Ajo që dua të theksoj është se jo shumë kohë më parë, në vitin 1999, 16 vjet më parë, pra një vit përpara se ky panair të startonte, flakët e luftës në Ballkan ende nuk ishin shuar dhe qytetarët e Ulqinit mirëprisnin me mijëra qytetarë të Kosovës të cilët ishin të përzënë në mënyrë të dhunshme nga gjenocidi i një regjimi barbar. Dhe të mos harrojmë se 16 vjet nuk janë shumë për të parë këtë progres të jashtëzakonshëm dhe për të parë këtë fuqi të jashtëzakonshme që sjell kultura, që sjell libri, këtë fuqi komunikimi, njohje, bashkëpunimi, tolerance?, - tha Meta.