VLORË - Ndërhyrjet e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit nga personat që kanë banesat pranë tubacioneve të ujit janë kthyer në një fenomen shqetësues në Vlorë.
Problematika ngrihet nga vetë drejtoresha e ujësjellësit, Varvara Gjika, e cila pohon së këta individë janë edhe shpërdoruesit më të mëdhenj të ujit të pijshëm.
Teksa temperaturat e larta janë prezente, shumë familje në zona të ndryshme të Vlorës po përballen më problemin e mungesës së ujit të pijshëm.
Këto mungesa dhe ndërprerje të ujit në këtë periudhë kanë edhe impaktin e tyre negativ në mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Shqetësim tjetër që ngre drejtoresha e ujësjellësit është mosarkëtimi i të ardhurave sipas planit.
?Jo të gjithë abonentët e ujësjellësit bëjnë pagesë të rregullt të faturës së ujit. Kemi shumë debitorë që akoma vazhdojnë të jenë debitorë ndaj kësaj ndërmarrje. Duke qenë debitorë dhe ndërmarrja e ujësjellësit nuk arrin dot të sigurojë të ardhurat e nevojshme në mënyrë që dhe kjo ndërmarrje të mund të arrijë të bëjë ndonjë investim për të zgjidhur këto zona problematike që ne i kemi?, u shpreh drejtoresha e ujësjellësit të Vlorës.
Për të evidentuar lidhjet e paligjshme të ujit Ujësjellësi i Vlorës ka dërguar grupe të terren, ndërsa sipas drejtuesve të këtij institucioni do kërkohet edhe ndihma e policisë për këtë problem.