A1 Report - Gjykata i “fal” për vrasjen, Italia kërkon vëllezërit shqiptarë për drogë

2015-08-22 1

TIRANE- Dy vëllezërit Geron Hasanbelliu dhe Mikel Hasanbelliu të akuzuar për vrasje e një personi dhe plagosjen e një tjetri në Belgjikë, teksa shpresonin që këtë javë të liroheshin nga ambientet e burgut të Peqinit, janë arrestuar sërisht, ku këtë herë ndalimi i tyre është bërë për qëllim ekstradimin e tyre në Itali.

Kjo pasi ndaj tyre drejtësia shqiptare ka vendosur të pranojë kërkesën e palës italiane, për ekstradimin në Itali, si të përfshirë në një organizatë kriminale që kishte specialitet trafikun e drogës dhe prostitucionit. Vendimi për ekstradimin e tyre është marrë në 2014 dhe në të njëjtin vit është pezulluar nga ministria e Drejtësisë, pasi dy vëllezërit ndodheshin në burg, duke vuajtur një dënim për vrasje.

Po ç?ndodh në Gjykatën e Lartë
Ndërkohë,në Gjykatën e Lartë është shqyrtuar rekursi i avokatëve mbrojtës të dy vëllezërve, të cilët pretendojnë paligjshmëri gjatë gjykimit të akuzave për vrasje në Belgjikë. Ndër të tjera, mbrojtja ka konsideruar si shkelje proceduriale faktin që trupa gjykuese në Apelin e Vlorës ka ndryshuar shpesh, gjë e cila, sipas mbrojtjes, ka cënuar ligjshmërinë e procesit gjyqësor.Në përfundim të procesit, në dt. 24.07.2015, Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe rikthimin për shqyrtim në po këtë gjykatë, me një tjetër trupë gjykuese.

Pra, në bazë të këtij vendimi,mbetet përkohësisht në fuqi vetëm vendimi i Gjykatës së shkallës së parë Fier, e cila ka dënuar me 25 vite burgim shtetasin Erion (Mikel) Hasanbelli dhe ka shpallur të pafajshëm vëllain e tij, Geron Hasanbelli.Pra, sipas këtij vendimi, Geron Hasanbelli duhet të lirohet menjëherë nga burgu. Nga ana tjetër, duke qenë se vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i formës së prerë dhe për faktin që periudha që ka qëndruar në burg vëllai tjetër, Erion (Mikel) Hasanbelli ka përmbushur afatet e paraburgimit,edhe ky i fundit duhet të lirohet, deri në vendimin tjetër të Gjykatës së Apelit Vlorë.