A1 Report - Harta e shifrat, ja në cilat zona të Tiranës vidhen më shumë shtëpitë

2015-08-22 8

TIRANË - Ardhja e verës dhe largimi i qytetarëve në drejtim të zonave turistike, si ato në plazhe apo vendet malore ka bërë që sërish keqbërësit t?iu kthehen masivisht vjedhjeve të banesave. Policia shprehet se veç periudhës së verës, ky lloj krimi ndodh dhe në periudhë të tjera të vitit. Në 6 muajt e parë të këtij viti sipas drejtorisë së Policisë së Tiranës janë kryer 249 vepra penale, kryesisht vjedhje të pronës.

Bëhet e ditur se 116 ose 46 për qind e këtyre krimeve janë zbuluar. Numri i krimeve ndaj pronës ka shënuar ulje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë në të cilin kanë ndodhur 307 vjedhje dhe janë zbuluar 129 krime prej tyre. Sipas policisë, ky lloj krimi ndodh kryesisht në zonat periferike të kryeqytetit por të shumta janë rastet edhe në zonat kryesore te Tiranës.

Policia thotë se në të shumtën e rasteve vjedhjet që ndodhin në zonën urbane të Tiranës kanë ndodhur gjatë orëve të ditës, ndërsa në zonat e fshatrave ato ndodhin kryesisht gjatë natës. në 24 përqind të rasteve sipas policisë krimet janë kryer nga të miturit dhe kryesisht në zonat e fshatrave. Ndryshe ndodh me vjedhjet në zonat urbane, ku kryesisht ato kryhen nga të rriturit. Kryesisht krimi i vjedhjes shpjegojnë oficerët e policisë ndodh me dy teknika, me dhe pa thyerje. Për të parandaluar vjedhjet në banesat, policia shpesh herë u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në sigurimin e tyre.