TIRANË - Morën ryshfet 200 mijë lekë për zgjidhjen e një çështje në Gjykatën e Lezhës përfundojnë në gjyq me akuzën e korrupsionit pasiv gjykatësja Parashqevi Ademi dhe avokati Gjovalin Ndokaj.
Hetimet për këtë rast janë kryer nga prokuroria e krimeve të rënda e cila në më pak se dy muaj, ka mundur të provojë mitmarrjen të prangos gjyqtaren dhe avokatin e të kompletoj kërkesën për gjykim.
Sipas hetimeve ka rezultuar se Ademi dhe avokati Ndokaj i caktuar kryesisht nga kjo gjykatë për shtetasin A.P që bëri denoncimin, kanë kërkuar që për të shmangur dënimin me burg duhej një kafe për gjyqtaren.
Pas këtij denoncimi është bërë dorëzimi i kontrolluar i parave dhe Avokati së bashku me Gjyqtaren janë arrestuar në flagrancë.
Gjatë kontrollit personal të gjyqtares Parashqevi Ademi dhe avokatit Gjovalin Ndokaj uniformat blu mundën të sekuestronin dhe sasinë prej 200 mijë lekësh të cilat ishin paguar nga kallëzuesi A.P..
Aktualisht këta dy zyrtarë janë në masën e sigurisë arrest me burg dhe pritet që gjykimi ndaj tyre të nis në muajin shtator në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.