A1 Report - Rikthehen radhët! Tirana vetëm 3 orë ujë në temperatura 40 gradë

2015-08-22 1

TIRANE - Në një kohë që temperaturat arrijnë mbi 40 gradë, qytetarët e Tiranës përballen çdo ditë me ndërprerjen e ujit. Zona si Yzberishti, Kombinati, Komuna e Parisit, Sauku, Kinostudio, Kthesa e Kamzës, Unaza e Madhe dhe zona e Sharrës, nuk kanë ujë për orë të tëra në banesat e tyre. Nga një vëzhgim i A1 Report në këto ditë të nxehta ka qytetarë të cilët nuk kanë asnjë pikë ujë prej dy ditësh dhe presin me orë të tëra në rradhë për të mbushur një bidon të vetëm.

Kjo situatë vazhdon prej kohësh ndërsa Ujësjellës-Kanalzime në Tiranë justifikohet me arsyen se ka mungesë të ujit dhe qytetarët duhet të bëjnë kujdes me konsumimin. Këta banorë në Yzberisht presin me bidonë për të mbushur ujë 3 herë në ditë. Vetëm me 3 orë ujë furnizohet një lagje e tërë ndërsa për në shtëpitë banorët thonë se nuk kanë asnjë pikë në çezmat e tyre.

Përveçse duhet të përballojnë temperaturat e larta, banorët në Kryeqytet duhet të harxhojnë çdo ditë para nga xhepi për të blerë ujin e pijshëm dhe atë që përdorin në shtëpitë e tyre.

Parashikimet flasin për temperature të larta edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa shumë zona e lagje të Tiranës duhet të mendojnë sesi të sigurojnë një pikë ujë për të pirë. Sa për larje duhet të presin ndoshta reshjet e vjeshtës që të vënë në punë dushin dhe lavatriçen.

Free Traffic Exchange