TIRANË - Në një intervistë për A1 Report një ditë pas miratimit të ligjit të ri të Arsimit të Lartë, ministria e Arsimit, Lindita Nikolla tha se miratimi i këtij ligji është një moment historik për Shqipërinë. Nikolla solli edhe një herë në vëmendje të gjitha përfitimet që do të sjellë implementimi pas një viti i këtij ligji duke shpresuar se ai do të gjejë një implementim të plotë në të gjitha hallkat e tij.
Pyetjes së gazetarit të A1 Report, Patrik Sadikaj se për çfarë diskutoi dje me ish-Kryeministrin Sali Berisha kur shkoi dhe ju ul pranë në sallën e Kuvendit, Nikolla ju përgjigj duke thënë se Berisha është deputet dhe se dëshiron ta ruaj atë si një bisedë personale.
Ndërsa përsa i përket incizimit të bashkëshortit të ministres që solli dje në Kuvend deputeti demokrat Edi Paloka, Nikolla tha se ai incizim është realizuar rreth një vit më parë, kur ky ligj sapo ishte hedhur. Ajo tha se është e lumtur që Paloka solli atë incizim pasi ai tregon se sa shumë është punuar për ta sjellë ligjin në formën që është sot .