Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias pas takimit me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati është pritur nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha.
Në takimin në presidencë, Nishani kërkoi nga ministri grek zgjidhjen e të gjitha çështjeve që qëndrojnë në agjendën e ngjeshur dypalëshe. Në këtë kuadër, Nishani ripërsëriti kërkesën për abrogimin e Ligjit të Luftës në Parlamentin grek, ku edhe pse palët kanë rënë dakord se përbën një absurd e nulitet politik, ai mbetet një akt ligjor i pashfuqizuar.
Presidenti ngriti dhe shqetësimin e komunitetit çam në lidhje me mohimin e të drejtave të tyre, përfshirë ato pronësore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por edhe duke konsideruar se kjo do të çlironte energji tejet pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Edhe në takimin me kreu e Kuvendit, u diskutua për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura të trashëguara. Kotzias tha se Greqia ka vullnetin për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të diskutueshme.
Ndërsa në takimin me liderin e opozitës, Basha kërkoi abrogimit të Ligjit të Luftës, pasi përbën një pengesë juridike për shqiptarët që kanë dhe duan të kërkojnë të drejtat e pronësisë në Greqi.