TIRANË - Deputetët e Partisë Socialiste braktisën këtë të mërkurë mbledhjen e komisionit parlamentar të Shëndetësisë ku pritej të niste diskutimi për projektligjin e Arsimit të Lartë.
Shkak për këtë situatë, sipas tyre u bë vonesa prej 30 minutash e deputetëve demokratë të cilët më herët ishin në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë.
Por edhe me mbërritjen e deputetëve të djathtë në kryesinë e Kuvendit, të cilëve iu bashkua deputeti i LSI-së Petrit Vasili, mbledhja nuk u zhvillua.
Nënkryetarja e Komisionit parlamentar të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Klodiana Spahiu ishte e para që la sallën dhe që sqaroi për mediet përse deputetët braktisën komisionin.
Ndërkohë kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi e cilësoi skenar të qëllimshëm për të kaluar në seancën e së enjtes draftin për qendrat spitalore pa u diskutuar në komision.
Komisioni i Shëndetësisë është komision këshillimor për Ligjin e Arsimit të Lartë pasi përfshihen edhe Fakultetet e Mjeksisë dhe Shërbimi Spitalor.