A1 Report - Atentat pronarit të një lavazhi Autorët dyshohen kosovarë

2015-08-22 1

SARANDE- Një 32-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së premtes në Sarandë, rreth orës 01:00.

Edmond Mehmeti pronar i një lavazhi ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij kur në afërsi të kanalit të Cukës pranë një hoteli në rrugën Sarandë-Ksamil ka rënë pre e breshërive të plumbave.

Një nga plumbat ka prekur në zemër Mehmetin duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa ekzekutorët janë larguar në drejtim të paditur.

Larje hesapesh ose një konflikt i çastit janë pistat ku është përqendruar policia e Sarandës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Dyshohet se Edmond Mehmeti mund të jetë konfliktuar me disa pushues kosovarë gjatë ditës së djeshme dhe në mesnatë ai ka rënë pre e pritës së armatosur. Policia e Sarandës shoqëroi 20 persona, mes tyre të afërm të viktimës dhe dëshmitarë të ngjarjes.

Policia e Sarandës vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, teksa janë ngritur disa postblloqe në kuadër të këtij aksioni për kapjen e vrasësve.