A1 Report - PD çon Kurbinin në Kolegj, kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve vendore

2015-08-22 6

TIRANË - Partia Demokratike i është drejtuar Kolegjit Zgjedhor me kërkesën ankimore për kundërshtimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për çështjen e Kurbinit, shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve dhe shqyrtimin në themel të kësaj çështje.

Kërkesa e demokratëve e fokusuar në këto tre pika kryesore vjen vetëm pak ditë pasi KQZ mori vendimin për rrëzimin e kërkesës ankimore të kësaj force politike për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve në bashkinë e Kurbinit. Vendimi i KQZ i cili rrëzoi me shumicë të thjeshtë të votave kërkesë e Partisë Demokratike, menjëherë pas zbardhjes u ankimua nga PD.

Burime pranë kësaj force politike konfirmojnë për A1 Report se ne fokus të ankimit është pavlefshmëria e procesit zgjedhor në të gjitha qendrat e votimit për bashkinë e kurbinit e si pasojë përsëritja e zgjedhjeve. Sipas demokratëve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli sytë përballë paligjshmërisë së faktuar të procesit zgjedhor në KZAZ 15 në bashkinë e Kurbinit, ndërsa Kolegji Zgjedhor është dera e fundit ku demokratët trokasin në rrugën ankimuese të procesit zgjedhor.

Ndërkaq mësohet se në Kolegjin Zgjedhor është hedhur shorti dhe janë përcaktuar 5 gjyqtarët që do të shqyrtojnë këtë ankim. Kështu pjesë e kësaj trupe janë gjyqtarët Valbon Cekrezi, Gjinovefa Gaba, Andi Civici, Petrit Ceno dhe Kliton Spahiu.

Të premten që shkoi me shumicë të thjeshtë të votave , KQZ rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmëri dhe ripërsëritje të zgjedhjeve në bashkinë e Kurbinit. Pas rreth 5 orë diskutime në KQZ, kjo trupë vendosi të rrëzojë këtë ankim, ndërsa përfaqësuesi i PS në KQZ tha se mungesa e vullnetit politik nga PS për këtë proces nuk i bën zgjedhjet e pavlefshme.

Beteja e demokratëve për Kurbinin ka nisur para mbajtjes së zgjedhjeve ku kërkuan KQZ të pranojë dorëheqjen e kandidatit Altin Biba dhe zëvendësimin e tij me Ilir Pjetrajn, por pa marrë dakordësinë jo vetëm të KQZ por edhe të Kolegjit Zgjedhor.