VLORË - Prokuroria e Vlorës ngre dyshime për njëanshmëri të gjyqtarëve në procesin ndaj kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe kërkon zëvendësimin e tyre.
Dyshimet e akuzës janë ngritur pas dorëheqies së Skënder Halucajt nga trupa gjyqësore që do të gjykonte Gjikën këtë të mart, ku largimi i Halucës ka sjellë dhe dështimin e seancës së parë të këtij procesi.
Por në këtë situatë të krijuar prokuroria e Vlorës kërkon dhe largimin e dy gjyqtarëve të mbetur në trupën gjyqësore ku bëjnë pjesë Anastasi Shehu dhe Laurent Fucia.
Në argumentat e saj për largimin e 2 gjyqtarëve të mbetur në trupën gjyqësorë prokuroria rendit faktin se në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe në cilësinë e ish-kryetarit të këtij trupi gjykues (kjo për efekt të ligjit), duke pranuar interesin në zgjidhjen e çështjes, ka ndikuar apo mund të ndikojë mbi dy anëtarët e trupit gjykues, duke cënuar parimin e besueshmërisë në dhënien e drejtësisë.
Më tej, sqaron prokuroria e Vlorës krijohet bindja se dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues janë tashmë të njëanshëm, për vetë faktin se vetë kryetari i këtij trupi gjykues ka pranuar interesin në këtë procedim. Për rrjedhojë çmojmë se dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues janë të ndikuar apo mund të ndikohen, kjo edhe për shkak të faktit se i njëjti trup gjykues prej një kohe relativisht të gjatë gjykon çështjet penale.
Kërkesa e prokurorisë për zëvendësimin e dy gjyqtarëve të mebetur në procesin Gjika me një trup të re gjyqësore do të shqyrtohet të mërkurën, ndërsa ende nuk është vendosur një datë se kur do zhvillohet seanca e rradhës ku Gjika me vartësen e tij Dorina Sulaj dhe biznesmenin Artur Haxhi akuzonte për falsifikim dokumentash dhe shpërdorim detyre duke i hapur rrugën ndërtimit të një pallati 11 katësh.