DURRËS - Gjashtë durrsakë, disa me lidhje gjaku dhe biznesmenë të njohur të qytetit bregdetar janë arrestuar nga policia mëngjesin e sotëm. Ata akuzohen si pjesë e një grupi kriminal ndërkombëtar të trafikimit të lëndëve narkotike. Rrjeti është goditur nga Sektori për Narkotikët në Drejtorinë e Policisë së Durrësit pas urdhër-arrestit të ardhur nga Gjykata e Antimafia e Firenzes në Itali.
Në pranga ranë, Edmond Tepsh 52 vjeç dhe djali i tij 25-vjeçar Guido, dy vëllezërit e 52-vjeçarit Artur dhe Luan Tepsh respektivisht 49 dhe 46 vjeç, Kastriot Dyrmyshi 32 vjeç dhe Laert Peneqexhi.
Arturi, Edmondi dhe Guido Tepshi u arrestuan në një pallat të ndërtuar prej firmës së tyre në zonën e Vollgës. Luan Tepshi u arrestua në lagjen numër 4, Kastriot Dyrmyshi në zonën e ish kënetës dhe Laert Teneqexhi u prangos vetëm 100 metra larg drejtorisë së Policisë së Durrësit.
Sipas informacioneve të siguruara nga A1 Report të arrestuarit janë ndërtues, pronarë lokalesh dhe pikash karburantesh. Ndaj tyre ka nisur edhe hetim pasuror me dyshimin se të arrestuarit mund t?i kenë ngritur këto aktivitete përmes parave të fituara nga trafiku i kokainës. Sot policia e Durrësit ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda hetimin pasuror.
Urdhër arresti ndaj tyre ka dalë në orën 18:00 të së hënës nga Gjykata italiane, natën kanë mbërritur me faks në Shqipëri dhe në 05:00 të mëngjesit të së martës janë bërë arrestimet.
Policia e Durësit ka pasur informacione të mbledhura për të dyshuarit, por nuk ka pasur prova për t?i arrestuar, pasi aktiviteti kriminal i tyre është kryesisht në Itali.
Operacioni i koduar ?Ricarica 2013? për shkatërrimin e organizatave kriminale dhe trafikun e drogës është zhvilluar paralelisht në Itali-Shqiperi-Gjermani, ku në vendin tonë u konkretizua me 6 arrestime. Ata rrezikojnë dënimin me jo më pak se 20 vjet.
Të arrestuarit
Kastriot Dyrmyshi 32 vjeç
Artur Tepshi 49 vjeç
Edmond Tepshi 52 vjeç
Laert Teneqexhi 25 vjec
Guido Tepshi 24 vjeç
Luan Tepshi 46 vjeç