SHKODËR - Telefoni që Sokol Mjacaj u vodhi turistëve çek e ka ?fundosur? 20-vjeçarin zbulimi i të cilit u bë pikërisht nga gjurmimi i telefonit të çiftit të huaj Michal Svatos dhe Anna Kosinoven.
Autori i krimit ia ka shitur telefonin e vjedhur një banori të fshatit Grudë e re të dielën rreth orës 11:00, të cilit i ka treguar se celularin e ka vjedhur në kampin e turistëve.
Gjurmimi i telefonit i ka çuar forcat e policisë në këtë fshat dhe kur kanë kontaktuar poseduesin e telefonit, ai u ka rrëfyer se aparatin celular ia ka blerë Sokol Mjacajt mesditën e së dielës.
Mësohet se përveç telefonit të 27-vjeçarit i riu ka grabitur edhe portofolin e të dashurës së tij Ana Kasinovës, 36 vjeç.
Banesa e Mjacajt ka kaluar në sitën e forcave të policisë, të cilët kanë kryer kontrolle të imtësishme. Deri më tani nuk është gjetur asgjë komprometuese, por burime pranë policisë konfirmojnë se i riu nuk ka shkuar në banesë pas ngjarjes dhe është fshehur gjatë gjithë kohës në pyje. Në momentin e arrestimit atij iu gjet një armë e ftohtë thikë.
Të martën autori i krimit pritet të dalë përpara Gjykatës së Shkodrës për tu njohur me masën e sigurisë. Përpara hetuesve ai ka rrëfyer dinamikën e plotë të ngjarjes si dhe ka folur për motivet e këtij krimi.
?Unë kisha si synim tu grabisja makinën dhe u zura pritë në fshatin Lotaj, pasi ata ndaluan mjetin, unë nën kërcënimin e automatikut hyra në automjet dhe i urdhërova të ecnin në drejtim të Shkodrës. Në afërsi të fshatit Prekal turisti çek që drejtonte makinën tentoi të merrte armën nga dora dhe në këtë moment unë i qëllova të dy me plumb pas koke duke i lënë të vdekur. Pas kësaj automjeti humbi drejtimin e dhe u përplas në anën e malit duke e dëmtuar dhe nuk më bënte më punë. Un më pas kontrollova viktimat, mora vetëm një telefon që mu duk i shtrenjtë?
Kjo është dëshmia e të riut përpara hetuesve të çështjes, ku ndër të tjera ka treguar se ka qenë i vetëm dhe se nuk ka pasur bashkëpunëtor të tjerë, qoftë edhe persona që mund ta kenë ndihmuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë policia po heton mënyrën e largimit të tij nga vendi i krimit dhe faktit nëse ai ka pasur bashkëpunëtor gjatë arratisë së tij.
Në operacionin për arrestimin e 20-vjeçarit u angazhuan më shumë se 350 efektivë të RENEA-s, FNSH e policia lokale të cilët në këtë aksion kishin edhe mbështetjen e banorëve të zonës.
Fillimisht banorët e lokalizuan të riun pranë shkollës të fshatit dhe njoftuan policinë, e cila zbarkoi menjëherë në zonë. Më pas 20-vjeçari gjeti strehë në një banesë dy-katëshe, ku dhe u rrethua nga policia dhe pas thirrjeve për dorëzim ai vendosi të heqë dorë nga arratia duke kërkuar mëshirën e uniformave blu për të mos e vrarë.