A1 Report - Berati e Gjirokastra hiqen nga lista e trashëgimisë botërore në rrezik

2015-08-22 0

Gjirokastra dhe Berati nuk do të jenë më në listën e trashëgimisë botërore në rrezik. Lajmi u konfirmua nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila në një dalje për mediat tha se falë menaxhimit të mirë të dy qyteteve turistike në dy vitet e fundit, në sesionin e 39 te Komitetit të trashëgimisë botërore që po zhvillohet në Bon të Gjermanisë është vendosur që Gjirokastra dhe Berati të mos jenë më në listën e Trashëgimisë botërore në rrezik.

Sipas Kumbaros, në përgjigje të rezolutës së UNESCO-s, e cila kërkon hartimin dhe miratimin e projektligjit për Trashëgiminë kulturore, qeveria shqiptare pritet që ta paraqesë atë brenda muajit korrik.

Kumbaro gjithashtu shtoi se në dhjetor të 2015 qeveria shqiptare do të dërgojë pranë Komitetit të Trashëgimisë botërore , raportin e radhës të monitorimit të Gjirokastrës dhe Beratit, i cili do të përmbajë një inventar në masën 100 % të të gjitha monumenteve kulturore.

Gjirokastra dhe Berati ishin vënë nën monitorim të rreptë nga UNESCO-s për shkak të ndërtimeve ilegale, të cilat po çonin në degradim dy qendrat historike.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Kulturës
Sesioni i 39 i Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s zhvillohet në Bon, Gjermani në datat 28 Qershor ? 8 Korrik.

Komiteti kryesohet nga Prof. Maria Böhmer, Ministre e Shtetit e Republikës Federale të Gjermanisë për çështjet e kulturës dhe të edukimit.

Gjatë këtij sesioni Komiteti i Trashëgimisë Botërore diskutoi Raportin e fundit të Gjendjes së Konservimit (SoC) të Qendrave Historike të Gjirokastrës dhe Beratit (site të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unescos), paraqitur nga Shteti Shqiptar në Shkurt 2015.

Ky tip raporti ndryshe nga raportet periodike është pjesë e bashkëpunimit ad hoc që Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të kulturës zhvillon me UNESCO-n që nga vjeshta 2013 për shkak të gjendjes së degraduar të monumenteve në vitet e shkuara.