Shtetasi i shumë kërkuar Razip Mahmutaj, datëlindja 1968, lindur dhe banues në Lazarat të Gjirokastrës, është autor i plagosjes me armë zjarri të një punonjësi policie në datën 17. 05. 2000 në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur kthesa e Lazaratit.
Ky shtetas ka qëlluar më armë zjarri tip kallashnikov në drejtim të automjetit të grupit të gatshëm të policisë të cilët patrullonin aksin e sipër përmendur. Për këtë prokuroria ka kërkuar 28 vite burg, gjykata ka vendosur 23 vite e ndërsa ka bërë vetëm 1 muaj burg.
20 gusht të vitit 2004 Razip Mahmutaj hap breshëri mitolozi ndaj helikopterit të Interforcës Italiane që monitoronte me pajisje të specializuara, filmime dhe fotografime apo skanime të territorit të Lazaratit për drogë.
Breshëritë e një mitralozi për pak se nuk e rrëzuan helikopterin me ekuipazh italian dhe specialistë shqiptarë të Antidrogës. Mjeti fluturues u shpua në tre vende, po për fat të mirë pa të lënduar. Kurse nga të shtënat e vetë banorëve u plagos në këmbë edhe një grua e fshatit prej plumbi qorr.
Në atë kohë, ministër i Rendit, Igli Toska, nuk do të kursente këtë incident. Duke ngritur shqetësimin se Lazarati ishte kthyer në një bastion droge e trafiku, informoi ambasadat e huaja për gjendjen dhe kërkoi hetime për zbulimin dhe arrestimin e autorëve me çdo kosto.
Ndërkohë që opozita e asaj kohe nisi të kritikonte Toskën për ndërhyrjen në Lazarat dhe përgatiti një protestë kundër tij. Një muaj pas incidentit, më 27 shtator 2004, dy skuadra speciale të RENEA-s, në sekret të plotë dhe operacion spektakolar, depërtuan në fshat me sukses të plotë. Lokalizuan në një prej lokaleve të dyshuarin Razip Mahmutaj, një i dënuar në mungesë me 22 vite burg nga Apeli për vrasje, por edhe i identifikuar si njeriu që për pak sa nuk rrëzoi helikopterin italian me plumba.