A1 Report - Ja çfarë ndodhi në aksionin e policisë në Lazarat në 2004

2015-08-22 1

Dhjetë vjet më parë, në vjeshtë të vitit 2004, Policia e Shtetit arriti të realizonte një operacion në Lazarat, pas sulmit me armë zjarri që iu bë helikopterit të Interforcës italiane në gusht të po këtij viti. Një numër i konsiderueshëm i forcave speciale RENEA kanë hyrë në fshat në mënyrë të rrufeshme për të goditur objektivin, për të cilin ishin përgatitur prej disa javësh. I gjithë operacioni zgjati vetëm dhjetë minuta, ndërsa rezultoi i realizuar në mënyrë të suksesshme.

Edhe gjatë kësaj ndërhyrje të policisë të 10 viteve më parë, ka patur të shtëna me armë zjarri ndaj uniformave blu, por fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë të plagosur nga radhët e tyre. Për pasojë kanë mbetur të plagosur tre banorë të fshatit. Mes gjashtë të arrestuarve ishin edhe dy personat të cilët qëlluan mbi helikopterin e "Interforcës Italiane". Më pas makina e blinduar që mbante djemtë e RENEA-s dhe të prangosurit nga Lazarati, mori rrugën drejt kryeqytetit.

Ministria e Rendit e asaj kohe, tha se forcat e RENEA-s e nisën operacionin në lokalin e Drini Alikos, vëllait të kryetarit të komunës Dashamir Alikos. Drini Aliko kishte qëlluar mbi forcat RENEA dhe më pas mbeti vetë i plagosur. Në atë kohë në pranga u vu edhe Nazip Mahmutajn.

Ky i fundit, sipas burimeve, prej pak kohësh kishte ardhur nga Greqia dhe vëllai i tij, Peligrat Mahmutaj, ishte i dënuar për vrasje me 22 vjet burg. Mes tyre ndodhej edhe Gate Moku, i cili ishte i dënuar për vrasje me 20 vjet burg. Moku nuk ishte banor i Lazaratit, por person me precedent penal që kishte gjetur strehim në këtë fshat.

Free Traffic Exchange