LUSHNJE- "A1 Report" mëson nga burime të sigurta, por konfidenciale brenda PD, se zgjedhjet për kreun e PD në Lushnjë kanë qenë të manipuluara. Sipas burimeve, në garë fillimisht kanë qenë katër kandidatë: Kostur Neza, Eduard Sharka, Ardito Gjuza dhe Myslim Murrizi. Tre kandidatët e parë janë tërhequr me pretendimin se nuk kanë qenë dakord me procesin dhe udhëzimin e dalë nga zyrat qendrore të PD, duke qenë se në listë ka mbetur i vetëm Myslim Murrizi, mesnatën e së shtunën në mënyrë të fshehë janë futur si kandidatë Pandeli Baci dhe Nevila Bami.
Sipas burimeve këta dy kandidatë janë futur vetëm për të plotësuar numrin, pasi fituesi ka qenë i paracaktuar Myslim Murrizi, dhe për pasojë i gjithë procesi për kreun e PD Lushnjë ka qenë një farsë. Ndërsa shton se 3 kandidat e tjerë janë tërhequr për shkak të presionit.
Po sipas burimeve, votues për kreun e PD-së nuk kanë qenë anëtarësia e partisë, por njerëz që s'ka lidhje me PD, pasi emrat dhe firmat e tyre janë marrë nëpër lokalet e qytetit para votimit.
Përfundon votimi për kreun e PD Lushnjë, fiton Myslim Murrizi
Myslim Murrizi është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike për Lushnjën. Pavarësisht denoncimeve për manipulim të procesit zgjedhor, votimi ka vijuar deri në orën 16:00. Nga 360 delegatë votuan 331 prej tyre , ndërsa Myslim Murrizi mori 211 vota.
Dy kandidatët e tjerë që morën pjesë në garë ishin Pandeli Baci dhe Nevila Bami, të cilët morën përkatësisht 59 dhe 53 vota.
Ndërsa tre kandidatët e tjerë Kostur Neza, Eduard Sharka dhe Ardito Gjuza, u tërhoqën nga gara për shkak të presionit.
Mësohet se në votime për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së në Lushnjë, rreth 20% e votuesve ishin nën 24 vjeç.
Maku Shehu: Gara për kreun e ri të PD në Lushnjë, farsë
Ndërkaq, edhe këshilltari i djathtë në bashkinë Lushnjë, Mak Shehu ka thënë për "A1 Report" se "procesi i zgjedhjeve në PD për këtë rreth ka qenë i manipuluar". Shehu e ka quajtur një "farsë" garën për kreun e ri të PD-së në Lushnjë, duke thënë se fituesi ka qenë i paracaktuar nga Basha dhe Fatbardh Kadilli. Sipas Shehut, "Kreu i ri që po zgjidhet në Lushnjë nuk ka lidhje me PD. Myslim Murrizi ka qenë personazh i 'Dushkut'. Në garë ishin 4 kandidatë, dhe 3 kandidatë u tërhoqën pas urdhrit të PD".
Sipas këshilltarit të djathtë në bashkinë Lushnjë, Mak Shehu, procesi i zgjedhjeve në PD për kryetarët e degëve do të ketë kosto për zgjedhjet lokale.