Nishani pret grevistët, Hoxha: Do pyesim edhe të sëmurët nëse do të vazhdojmë grevën

2015-08-22 0

Tiranë -- Kryetari i grevës së ish-të përndjekurve politikë, Fatmir Hoxha ka deklaruar sot se vazhdimi ose jo i grevës së të përndjekurve do të vendoset sot brenda çadrës së grevës, pasi të merret edhe mendimi i grevistëve të shtruar në spital.

Hoxha e dha këtë deklaratë pas takimit që ai, ,me një grup përfaqësues të grevës, kanë patur me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, të parin dhe të vetmin zyrtar të lartë që ka kontaktuar me ta.

Hoxha shprehu mirënjohjen e tij për Presidentin, i cili u hapi derën për problemet e tyre dhe " do ta mbajë atë hapur 24 orë për ish-të përndjekurit."

"Ne i kërkuam Presidentit që me forcën e ligjit ta çojë gjer në fund kazuzën e kësaj shtrese, që mbart mbi kurriz, burgjet, internimet, pushkatimet dhe sot e kësaj dite që flasim, po përballet me këtë revash çnjerësor që ka ndërmarrë Edi Rama për pushimin dhe shkarkimin nga puna të fëmijëve të tyre.

S' mund të themi dot tani nëse do vazhdojmë apo jo grevën, se kemi njerëz në spital, kemi njerëz që dergjen në atë grevë fisnike dhe do të marrim vendim kur të kthehemi atje."

Ai theksoi në fjalën e tij, akuzat që janë bërë ndaj grevistëve të urisë nga disa media:

"Hedhim poshtë me neveri disa gazeta anonime, disa njerëz që kanë lëpirë kockat, disa servilë që deri dje i kanë fshirë xhaketën Sali Berishës dhe sot hedhin baltë mbi këtë shtresë fisnike," -- deklaroi ai.

Greva e ish-të përndjekurve ka hyrë në dhjetëditshin e saj të dytë dhe është duke u ndjekur me vendosmëri prej tyre.

Këtë grevë e ka mbështetur Partia Demokratike, Shoqata e Ish-Të Përndjekurve si dhe Shoqata e Të Larguarve nga Administrata.

Free Traffic Exchange