FIER- Kombëtarja shqiptare e femrave ka pësuar një tjetër humbje përballë Portugalisë me rezultatin e thellë 0-3 në kuadër të eliminatoreve të kampionatit botëror "Kanada 2015". Ndeshja është zhvilluar në stadiumin "Loni Papuciu" të qytetit të Fierit me një interesim jo shumë të madh duke pasur parasysh që në të njëjtin orar zhvilloheshin edhe ndeshjet e botërorit.
Vajzat shqiptare të drejtuara nga trajneri Altin Rraklli zhvilluan një start të mirë të ndeshjes duke iu afruar golit në disa momente, por nuk u treguan të saka para portës.
Ndërsa miket nga Portugalia falë eksperiencës arritën që të shënonin tre herë në portën kuqezi. Golin e parë e shënoi Mendez që përfitoi nga një goditje standarde duke devijuar topin në rrjetë.
Pas këtij momenti loja e ekipit tonë bie ndjeshëm ndërkohë që portugezet luajnë me kujdes dhe me theks sulmues, gjë që bën që të shënojnë dhe golin e dytë në minutën e 62 me anë të Borges pas ekzekutimit të një goditje dënimi. Pa kaluar 2 minuta është De Souza që shënon dhe golin e tretë pas një gjuajtje nga 18-20 m duke mbyllur ndeshjen në 0-3.