Sezoni turistik, radhë kilometrike në kufirin Kosovë-Shqipëri

2015-08-22 2

Rikthehen radhët e gjata në pikat kufitare që lidhin vendin tonë me Kosovën. Radhët kilometrike të automjeteve me shqiptarë të Kosovës, që i drejtohen vendit tonë për të kaluar fundjavën kanë sjellë kaos në pikën kufitare të Vërmicës.

Mëngjesin e së shtunës radha e automjeteve ka arritur deri në fshatin Zhur, më shumë se 5 kilometra larg pikës së kalimit mes dy vendeve.

Udhëtarët shprehen se kjo pritje është bezdisëse për ta, ndërsa shtojnë se ajo ka dhe një kosto të madhe për automjetet, pasi detyrohen të qëndrojnë me orë të tëra për të kryer procedurat e kalimit në kufi.

Ata kërkojnë nga institucionet qëndrore të Shqipërisë dhe Kosovës të hartojnë procedura të përshpejtuara, pasi sezoni turistik është në nisje të tij dhe dyndja në këto pika, vetëm sa do të shtohet.

Fluksi në rritje i shtetasve kosovarë, që i drejtohen vendit tonë vjen gjithnjë duke u rritur, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në vendin tonë më shumë se 14 mijë persona.

Sakaq policia kufitare edhe pse ka shtuar numrin e sporteleve nga 4 në 6 të përpunimit të dokumentacionit, nuk ka arritur të evitojë fluksin e madh të hyrje-daljeve, në Vërmicë.