A1 Report - Arrest me burg kolumbianit, do merrte 1 mln € për 250 kg kokainë

2015-08-22 4

TIRANE - Pak çaste para nisjes së seancës për masën e sigurisë ndaj kolumbianit të arrestuar në Rinas 3 ditë më parë, dhe i dyshuar për përfshirjen në trafikun e 250 kg kokainë të sekuestruar në Malin e Zi, përfaqësia diplomatike spanjolle kërkon që masa ndaj tij të zhvillohet pa praninë e kamerave për arsye sigurie.

Cesar Triana, 36-vjeçari me origjinë kolumbiane dhe shtetësi spanjolle, ka pranuar dhe para gjykatës se ai ndodhej në Shqipëri për të marrë 1 milion euro në formë pagesë për një sasi droge që do vinte në Shqipëri. Ai ka deklaruar se kur është nisur nga Spanja ka patur një numër kontakti shqiptar me të cilin duhet të bisedonte, ndërsa 23 ditët e qëndrimit të tij në Tiranë i ka kaluar nëpër hotele.

E njëjta dëshmi nga Triana është dhënë dhe në momentin e arrestimit të tij në komisariatin e policisë në Rinas, e është pikërisht kjo dëshmi që sipas avokatit të tij mbrojtës Jeton Xhaferri duhet të rrëzohet pasi është marrë në kundërshtim me ligjin, dhe jashtë kamerave Xhaferri deklaron se do të apelojë vendimin e "arrestit me burg".

Një ditë më parë "A1 Report" zbardhi dhe një pjesë nga dëshmia e Trianës, i cili për hetuesit deklaron se, pagesën prej 1 milion euro do ta transferonte në Spanjë nëpërmjet bankave të nivelit të dytë, dhe për këtë shërbim ai do të paguhej me 200 mijë euro.

Por kur kishte parë në lajme se në Mal të Zi u sekuestruan 250 kg kokainë ai kishte menduar të largohej, paçka se nuk jep asnjë detaj se ishte pikërisht kjo drogë që do vinte në Shqipëri.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për "A1 Report" bën me dije se ende nuk ka një kërkesë për status të veçantë të Trianës në këtë proces hetimor, por nëse do të kërkohet dhe ai do bashkëpunojë më tej me drejtësinë, mund të marrë dhe statusin e bashkëpunëtorit duke përfituar një masë dënimi më të lehtë, si dhe ruajtje.

Free Traffic Exchange