A1 Report - "Aljazeera", dokumentar për 500 fëmijë romë shqiptarë të zhdukur

2015-08-22 3

"Fëmijët e humbur të Shqipërisë", kështu titullohet dokumentari i realizuar nga gazetarja e "Aljazeera", Sarah Macdonald, ku është investiguar mbi zhdukjen e 500 fëmijëve romë në një jetimore të shtetit Grek.

"Është një mister i rëndë që ka tronditur qeveritë e dy vendeve dhe ende përndjek një nga grupet minoritare më të varfra në Europë".

Kështu nis dokumentari në të cilin shpjegohet se një dekadë më parë më shumë se 500 fëmijë romë të Shqipërisë, lypsarë rruge të grumbulluar nga policia Greke para nisjes së Lojërave Olimpike në 2004-ën në Athinë, u zhdukën nga një qendër strehimi shtetërore. Përse ata u dërguan në atë vend dhe ku shkuan më pas?

Të gjitha përgjigjet vijnë në investigimin e realizuar për "Njerëz & Fuqi" nga gazetarja Macdonald Ajo fillimisht ka ardhur në Tiranë, ku ka nisur dhe investigimin e saj dhe më pas është drejtuar drejt Pogradecit dhe Korçës, të cilat i përshkruan si vendlindjen e shumicës së romëve në Shqipëri, duke shpjeguar se gjendja e tyre është po aq e varfër sa dhe në kryeqytet.

Ndër intervistat e shumta me lypësit dhe prindërit apo shoqëruesit e tyre, një ndër më të spikaturat është historia e një vajze e cila rrëfen sesi babai i saj e dërgoi në Greqi në moshën 5-vjeçare për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe mënyrën sesi i duhej të përballej me jetën atje... Historia vazhdon me rastet e romëve të larguar për një të ardhme më të mirë drejt vendit fqinj, Greqisë, por që nuk janë kthyer më kurrë prej andej dhe asgjë nuk dihet për fatin e tyre.

Një kthim retrospektiv i historisë se çfarë ka ndodhur me romët që nga periudha e diktaturës, investigimet e shoqatave për të drejtat e njeriut, mënyra dhe rruga e trafikimit të fëmijëve, torturat dhe jeta e vështirë që kalonin në vendin pritës, prapaskenat pas mbylljes në Agia Vavara, raportimet policore etj; të gjitha në një rrëfim tragjik ende të pazgjidhur.

Pjesë e dokumentarit të gazetares janë autoritete të ndryshme greke dhe shqiptare, një ndër to dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili tregon se ende nuk kanë një përgjigje nga organet përkatëse greke dhe se në të vërtetë bëhet fjalë për shumë më tepër fëmijë të trafikuar.

Gazetarja në përfundim ngre pyetjen se a do të ishin shtyrë kaq gjatë këto investigime, nëse ata nuk do të ishin fëmijë romë, megjithatë ajo shpreson që ata të jenë kthyer shëndoshë e mirë në shtëpitë e tyre, paçka se kjo ka pak gjasa të jetë e vërtetë.