A1 Report - Vrasje në plazhin e Durrësit Atentat nga makina në makinë

2015-08-22 13

DURRES - Ekzekutohet me armë biznesmeni i ndërtimit në zonën e plazhit në Durrës, në mes të ditës dhe në një zonë mjaft të populluar me pushues në sektorin e Hekurudhave.

Viktima, Kujtim Dyrmishi, është qëlluar për vdekje me armë zjarri brenda makinës së tij me targa italiane DP 411 VF. Në fotot e siguruara nga gazetari i A1 REPORT Artur Korriku, duken dhe plumbat në derën e makinës tip Benz dhe xhamat e thyer të automjetit.

Autorët kanë qëlluar nga një tjetër makinë, tip Benz ngjyrë gri dhe me targa të Kosovës. Sipas informacioneve paraprake, fillimisht ka qëlluar njëri prej autorëve dhe tjetri ka qenë duke drejtuar automjetin...por nuk janë mjaftuar me kaq...Pasi janë ndaluar makinat, ndaj viktimës ka qëlluar edhe shoferi i makinës me targa kosovare për tu siguruar se viktima e tyre nuk do të kishte shance mbijetese.
50-vjeçari ishte me origjinë nga Cërriku dhe banonte në Durrës.
Autorët pasi kanë qëlluar me breshëri plumbash janë larguar nga vendi i krimit në drejtim të Tiranës. Policia ka arritur të identifikojë targën e automjetit të autorëve dhe janë ngritur postblloqë në autostradën Tiranë-Durrës për të mundësuar kapjen e tyre.