TIRANE- Sa vjen e më shumë fqinji ynë, Italia, po shpreh interes që sipërmarrjet e tyre të operojnë edhe në tregun shqiptar. Ky interes u shfaq nga presidenti i Shoqatave më të mëdha të sipërmarrjes italiane, kryesisht ato të mesme dhe të vogla, gjatë një takimi me nënkryetarin e Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla dhe deputetit Artan Gaci në ambientet e kryesisë së Kuvendit.
Sipas nënkryetarit Balla, investitorët italianë do të ndihmojnë në hapjen e vendeve të reja të punës, kryesisht në sektorët si: fasoneria tekstile, në fushën e përpunimit të thelluar të produkteve bujqësore, por edhe në fusha të tjera.
"Ne i parashtruam gjithçka ofron Shqipëria dhe gjithçka ka bërë të mundur qeveria e re në formë iniciativash për të bërë të mundur ngritjen e fabrikave të vogla dhe të mesme kudo nëpër Shqipëri me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës. Kemi marrë garanci që shumë shpejt një grup investitorësh italianë do të vijnë jo vetëm në Tiranë, por edhe në zona zgjedhore që ne përfaqësojmë, me qëllim gjetjen e hapësirave të investimit për krijimin e vendeve të punës në këto zona, kryesisht në fushën e fasonerisë, ajo tekstile dhe jo vetëm, por edhe në fushën e përpunimit të thelluar bujqësor të produkteve bujqësore", tha Balla.
Ndërsa presidenti i "Confimpresse Italia", Guido D'Amico tha se "Jemi mjaft të motivuar dhe të interesuar për tregun shqiptar, pasi Shqipëria është një mundësi mjaft e mirë për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme për disa arsye, si afërsia gjeografike, gjuha dhe kostoja e punës. Sapo të kthehemi në Itali do të bëhet gati një delegacion që do të vijë në Shqipëri për të parë nga afër atë çka Shqipëria ofron".
Sipas zotit D'Amico vetë investitorët italianë kanë shprehur interesim të madh për zhvillimin e biznesit apo degëve të tyre në Shqipëri pasi nismat dhe programet e reja të qeverisë kanë zgjuar interesin e investitorëve.