TIRANE- Diskutimi i reformës territoriale në Himarë ka hasur në këndvështrime të ndryshme të shprehura nga të pranishmit. Në takimin e sotëm të zhvilluar me ministrin Bledi Çuçi, banorët e zonës së Himarës dhe fshatrave të kësaj bashkie, kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me ndarjen administrative, por nuk kanë munguar as debatet. Në këtë takim veç banorëve të zonës, merrnin pjesë kryetarët e komunave aktuale, kryetarët e fshatrave të Bregut dhe të zonës së Lumit të Vlorës, dhe përfaqësues nga grupet e interesit.
Në takim, banorët e zonës janë shprehur se është i pranueshëm zgjerimi i krahinës, por në pjesën me të madhe nga ana e banorëve nuk është pranuar përfshirja e zonës së Labërisë së Vlorës. Këtë fakt, banorët e kanë argumentuar me faktin e mospërputhjes fetare, si dhe të kulturave krahinore të ndryshme.
Ndërkaq, në takim nuk munguan zërat që kërkonin autonomi të zonës, si atëherë kur Himara përfaqësohej nga 52 fshatra.