TIRANE - Ndryshimin e periudhës së hetimit të emërimeve në adminsitratë dhe përfshirjen në këtë komision edhe të periudhës së ish-qeverisë Berisha, demokratët e cilësojnë si "kapje të zyrave të shtetit nga krimi". Një ditë pasi Kuvendi miratoi ngritjen e komisionit për të hetuar emërimet nga viti 2009, duke rrëzuar kështu kërkesën e opozitës që kërkonte hetimin vetëm pas shtatorit të 2013-ës kur në pushtet erdhi e majta, deputeti demokrat Eduard Halimi tha në një deklaratë për mediat se Rama dhe Meta po ndalojnë hetimin për administratën duke qenë në krah të inkriminuarve.
"Mazhoranca dje refuzoi sërish me dhunën e kartonave, kërkesën e opozitës për të bërë transparent për qytetarët, mekanizmin e emërimeve kriminale në administratë nga kjo qeveri, për periudhën shtator 2013-ta e këtej. Vendimi i djeshëm që rrëzoi kërkesën e opozitës, kërkon të mbyllë mundësinë ligjore e parlamentare për të bërë transparencë në lidhje me emërimet që kanë degraduar administratën publike në vend, dhe i kanë hapur rrugën kapjes së shtetit nga elementë të rrezikshëm të botës së krimit dhe trafikut të drogës.
Me aktin e djeshëm Rama tregoi se ose është i kapur nga krimi që ka zaptuar zyrat e shtetit, ose është në krye të këtij klani të rrezikshëm që ka mbërthyer administratën.Besnikëria e verbër që treguan dje Rama dhe Meta, duke ndaluar hetimin parlamentar, është një përkeqësim tjetër i gjëndjes së demokracisë dhe institucioneve në vend, dhe është një bekim dhe frymëzim i ri që kjo dyshe u jep personave të dënuar ose të përfshirë në afera kriminale, për të vazhduar në rrugën e tyre të kapjes së shtetit", shtoi më tej ai.
Me miratimin e shumicës në parlament futen nën hetim parlamentar të gjitha emërimet e bëra në administratën publike që nga viti 2009 deri më prill të viti 2014.