Opozita dhe mazhoranca kanë debatuar në seancën e sotme plenare në lidhje me draftin që i jep të drejtën Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të vendosë rrogat dhe shpërblimet e punonjësve pa kufizim nga hierarkia kombëtare e pagave. Ish-ministri i Financave Ridvan Bode, tha se nuk mund të shpenzohen para publike pa kufizim duke analizuar se qeveria Rama po çon në rokadë ekonominë e vendit me reformat e fundit. Kryetari i komisionit të Ekonomisë Erion Braçe, ka shtuar se pavarësia për AMF është specifikuar në raportet e ndërkombëtarëve.
AMF bëhet institucioni i dytë në Shqipëri që fiton të drejtën të shpenzojë para publike për paga pa kufizim ligjor. I pari është Banka e Shqipërisë, një model që ka hapur debate të forta në publik dhe është denoncuar zyrtarisht edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Por, veç pavarësisë financiare një tjetër pikë e debatuar në ligjin e ri për AMF-në ishte edhe ajo që ndërpret mandatet e disa prej anëtarëve të bordit ekzistues, që për opozitën janë shkarkime politike.