Freedom House: Maqedonia 10 vende prapa në lirinë e mediave

2015-08-22 2

Maqedonia është një vend me pseudo demokraci. Kështu vlerëson raporti i Freedom House, duke e kthyer Maqedoninë në mesin e shteteve me regjim hibrid. Në raportin e titulluar "Kombet në Tranzicion 2014", thuhet se Maqedonia po shënon rënie në aspektin e respektimit të lirive dhe të drejtave demokratike, duke venë theks të veçantë në lirinë e mediave. Raporti thekson shembuj eksplicit mbi lirinë e mediave dhe agjencinë për media, e cila në raport quhet si instrument i qeverisë për kontroll ndaj mediave.

"Kufizimet në rritje të Maqedonisë mbi pavarësinë e gazetarinë tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2013, kur gazetari Tomisllav Kezharovski u arrestua me pretendimin për zbulimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur në rastin e një vrasjeje. Kezharovski u mbajtur në paraburgim për pesë muaj dhe më pas në muajin tetor, u dënua me katër vjet e gjysmë burg.. Në fund të dhjetorit, parlamenti miratoi ligjin kontrovers për krijimin e një rregullatori mediatik, që dominohet nga pushteti", theksohet në raport.

Veç kësaj, Maqedonia vlerësohet negativisht edhe në sferën e korrupsionit. Raporti këtu është përqendruar në projektin "Shkupi 2014", projekt ky i cili në Maqedoni ka mundësuar burime kontroverse për korrupsion. Pas epilogut të madh mbi arkitekturën dhe stilin barok si dhe ngritjen e zërave etnikë, raporti bazohet edhe në koston astronomike të projektit "Shkupi 2014".

"Kur projekti që u shpalos në vitin 2008, ishte projektuar të kushtonte 80 000 000 euro. Në konferencën për shtyp në prillin e vitit 2013, Ministria e Kulturës bëri të ditur se në përgjithësi janë shpenzuar 207 000 000 euro për ndërtimin e objekteve të reja, përmendoreve dhe skulpturave. Mirëpo, OJQ-të theksojnë se qeveria ka shpenzuar dyfishin e shumës së paralajmëruar. Edhe partitë opozitare si LSDM-ja, insistojnë se shifrat për projektin në fjalë, arrijnë afër 1 miliard euro", thuhet në raport.

Polemikat mbi koston e projektit vazhduan edhe pas zgjedhjes së kreut të ri të Komunës Qendër. Andrej Zhernovski, paralajmëroi heqjen e të gjitha përmendoreve të paligjshme, e mbi të gjitha të atyre që nxitin marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni dhe lënë hapësirë për korrupsion. Megjithë premtimin e tij, shumica parlamentare miratoi Ligjin për Ndërtim i cili i heq kompetencat Komunës nda përmendoret. Në raportin e Freedom House, Maqedoni është në të njëjtin grup me Moldavinë, Ukrainën, Gjeorgjinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë. Adrian Kerimi

Free Traffic Exchange