A1 Report - Kolumbiani ne Tirane, ndermjetes i pageses per kokainen e Malit te Zi

2015-08-22 4

TIRANE - Pas arrestimit në pikën kufitare në Rinas, kolumbiani Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, i cili po tentonte të linte Shqipërinë për të udhëtuar drejt Spanjës, do të përballet me drejtësinë me akuzën e përfshirjes në trafikun e drogës.

Burime për A1Report bënë me dije, se pas një informacioni të marrë nga pala malazeze se një shtetas spanjoll i cili qëndron në Shqipëri ka dijeni për 250 kg kokainë të kapur pak ditë më parë në Mal të Zi, ka ardhur dhe arrestimi i tij. Po të njëjtat burime thanë se aktualisht shtetasi me origjinë kolumbiane dhe banues në Spanjë ka mohuar të ketë dijeni për kokainën dhe ka dëshmuar se në shqipëri ndodhej për turizëm.

Por verifikimet e kryera nga oficerët e policisë gjyqësore kanë nxjerrë në pah se Cesar Augusto Luiz Tirana, ka hyrë në Shqipëri më 19 Maj të këtij viti dhe 23 ditët që ka qëndruar në Shqipëri nuk rezulton të ketë prenotime turistike, por ka hyrë me një biletë të hapur nga Spanja drejt Tiranës ku dhe ka qëndruar.

36-vjeçari Kolumbian do të dalë nesër para gjykatës së Krimeve të Rënda, ku nga provat e mbledhura deri më tani dyshohet se Cesar ndodhej në Shqipëri për të marrë pagesën e kokainës të sekuestruar në Tivar të Malit të Zi në dyshemenë e një kantieri me banane të sjellë përmes një anijeje nga Ekuadori.

Aktualisht hetimet mbeten të hapura në të dy shtetet, Mal i Zi dhe Shqipëri ndërsa ende nuk është vërtetuar destinacioni përfundimtar i sasisë prej 250 kg kokainë në kontenierin e bananeve që vinin nga Ekuadori me destinacion firmën shqiptare Rrapo Kompani, me seli në Fier.