Krahas projektligjeve që diskutohen çdo të enjte me tone të larta, në sallën e parlamentit ish-kryeministri Sali Berisha ka menduar se pjesë e diskutimeve të bëhet edhe këngëtarja Çiljeta.
Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë Berisha nuk ka zgjedhur akuzat e pafundme, por komplimentet për këngëtaren e nderuar siç e quajti ai për të përshkruar Çiljetën, duke shkaktuar kështu të qeshura në parlament.
Deklarata e tij për Çiljetën erdhi pas ironisë së kryeministrit Rama i cili gjatë publikimit të raportit pozitiv të KE-së për Shqipërinë tha se nuk do të ketë festime me performancën e Çiljetës pasi ai e sheh marrjen e statusit si detyrim.
"Kryetari juaj eurosocialist tha se nuk do të festojmë për marrjen e statusit, por kjo sepse është i vetmi që shprehet se e ka marrë statusin dhe kapet me këngëtaren e artisten e nderuar, Çiljetën. Të kishte 1/100 e performancës artistike të Çiljetës, do ishte piktor shumë më i suksesshëm se sot sepse nuk ka shitur kurrë një pikturë." tha Berisha
Me sa duket Berisha ka vendosur të tregojë se është fansi më i madh i këngëtares Çiljeta si dhe performancave të saj artistike të cilat la të kuptohej se i ka ndjekur shpesh.