A1 Report - Kostume që mbulojnë gjithë trupin trendi më i fundit në Tokio

2015-08-22 29

Një çift i moshës 23 dhe 29-vjeç, ndryshe nga shumë çifte të tjera që zgjedhin të shikojnë një film apo të hanë në një restorant, kanë zgjedhur të shkojnë në një takim krejt të veçantë siç është klubi "Zentai" në Tokio. Ata kanë zgjedhur një praktikë disi të çuditshme për të shprehur ndjenjat, nëpërmjet këtij kostumi që mbulon çdo pjesë të trupit të tyre nga koka tek këmbët. Asnjë nuk identifikohet me emrin e vërtetë në këtë klub që pozicionohet në periferi të qytetit dhe ofron për të gjithë një parti në suitë me kostumet që mbulojnë gjithë trupin.

Këto kostume që janë përdorur më parë në videoklipe muzikore, grupe kërcimi apo emisione argëtuese tani rezultojnë se janë shumë të suksesshëm si kalues kohe gjatë fundjavave, si për të rinjtë ashtu dhe për më të moshuarit. Për të apasionuarit pas kësaj mode të re, sensacioni qëndron tek ndjesia që të përcjell kjo veshje në lëkurë dhe tek anonimati që të jep. "E dashuroj ndjesinë e sigurisë, delikatesës dhe relaksit që më ofron veshja, sidomos kur dikush tjetër e prek atë", shprehet Hanaka, e cila rrëfen se kjo e bën të ndihet e lirë për të qenë vetvetja dhe për të përjetuar lumturi fizike dhe shpirtërore.
Krijuesi i "Tokyo Zentai Club", 37-vjeçari Tamura, shprehet se ky kostum mpreh të gjitha shqisat e trupit duke i shumëfishuar ndjesitë që të përcjell çdo prekje, "Është sikur të kesh një lëkurë të dytë, sikur të jesh një tjetër person", shpjegon ai.

Kostumet e ngjitura pas lëkure kanë ngjyra, materiale dhe çmime të ndryshme dhe secili ka kostumin e tij personal elastik të dizenjuar sipas kërkesave personale të klientëve.

Një kostum i tillë bëhet me dorë dhe kushton $200-$300 dollarë. "Tokyo Zentai Club" është krijuar vetëm para një viti e gjysmë e megjithatë ka patur një rritje të madhe në treg. Gjatë mbledhjes së admiruesve të kësaj praktike njëherë në muaj, ata preferojnë metoda të ndryshme të përjetimit të kënaqësisë siç është ky vakum njerëzor i krijuar me mbështjellëse plastike çka sipas tyre i rrit akoma më shumë ndjesitë e përjetuara.