A1 Report - Rama: Duhet një marrëdhënie e re e vendeve të rajonit me BE-në

2015-08-22 0

PARIS - Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, gjatë vizitës që po zhvillon në Francë, zhvilloi një bashkëbisedim në Institutin francez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, ku foli për Europën dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Që në nisje, Kryeministri shpalosi para audiencës franceze, qasjen e qeverisë shqiptare për procesin e integrimit si një proces i ndërtimit të Europës në vend. Për ne, tha Kryeministri, Bashkimi Europian është rruga europiane për të transformuar Shqipërinë. "Qeveria shqiptare, e zgjedhur nga një votë plebishitare në 23 Qershor 2013 ka një qasje tërësisht të ndryshme në raport me integrimin në BE. Për ne, Europa nuk është jashtë nesh, ajo përbën një destinacion të pashmangshëm në gjirin e shoqërisë sonë, një lëvizje të brendshme. Ne vlerësojmë se Europa është demokracia e përditshme, në çdo cep të vendit dhe me këtë rast më kujtohet shprehja e Michel Rocard, "Demokracia e çdo dite". Duke afirmuar këtë ide, nuk kërkoj të bëj një propozim apo premtim demagogjik, por i referohem vullnetit për të transformuar, për të modernizuar dhe demokratizuar shoqërinë shqiptare. Shqipëria është një kandidate potenciale, pasi vjen nga marrja e një "Po"-je unanime nga Komisioni Europian dhe shpresoj se do të mund të marrim statusin e vendit kandidat në 23 qershor," -- u shpreh ndër të tjera Kryeministri.