A1 Report - Bulqizë, ndalen protestat, "ngrijnë" punimet për HEC, priten negociata

2015-08-22 2

BULQIZE - Banorët e komunës Zerqan në Bulqizë i kanë dhënë fund protestës së tyre kundër ndërtimit të Hecit të Valikardhës, pas arritjes së marrëveshjes: Punimet do të ndërpriten deri të mërkurën e javës tjetër. Ndërsa një grup ekspertësh nga Tirana pritet të mbërrijnë në Valikardhë për të negociuar me banorët.

Banorët edhe mbrëmjen e së martës janë grumbulluar në afërsi të Heci-t për të mos lejuar vijimin e punimeve, ndërsa në vëndngjarje kanë mbërritur forcat e policisë të cilat kanë shoqëruar në komisarit tetë banorë.

Kjo nuk i ka stepur pjesën tjetër të banorëve, të cilët kanë vijuar sërish protestën, ndërsa forcat e policisë të ardhura nga Peshkopia janë detyruar të nisin negociatat me banorët.

HEC-i që do të ndërtohet në fshatin Valikardhë të Bulqizës do të përdorë si burim ujin e Liqenit të Zi, me të cilin banorët e fshatrave të komunës Zerqan vadisin tokat bujqësore.

Ndërtimi i HEC-it me një vlerë prej 18.500.000 euro është aprovuar me vendim të Marsit të 2013 nga KRT.

Sipas banorëve, projekti ka nisur pa marrë në konsideratë mendimin e tyre, duke shfrytëzuar të vetmin burim të katër fshatrave të kësaj komune dhe duke vënë në rrezik të mbjellat e tyre.

Banorët prej kohësh vijojnë protestat kundër të ndërtimit të këtij Heci, teksa mbrëmjen e së hënës protesat u finalizuan me djegien e kampit të punëtorëve që po ndërtojnë këtë Hec-dhe dëmtimin e pajisjeve që po përdoren në punimet për ndërtimin e këtij objekti.

Lidhur me këtë problem, banorët thonë se me anë të një peticioni të firmosur nga 150 kryefamiljarë, kanë njoftuar edhe disa nga organet kompetente, si: prefektura e qarkut Dibër, Ministri i Mjedisit dhe i Bujqësisë, si dhe Kryeministri Rama.