A1 Report - Itali,Tahiri:Luftë kultivimit të drogës Alfano:Integrimin, ju përkrahim

2015-08-22 0

ITALI - Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë një takimi me homologun italian, Angelino Alfano në Romë ka theksuar se Shqipëria është e angazhuar për një luftë pa kompromis kundër kultivimit të kanabisit. Ndërkohë që Alfano ka deklaruar se përkrah Shqipërinë në procesin e integrimit europian dhe se do të lobojë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Gjatë takimit ministri i Brendshëm i Italisë u shpreh shumë i impresionuar nga rezultatet e policisë shqiptare në këto muaj.Dy ministrat, në takimin e tyre kokë më kokë, ranë dakord për të forcuar më tej bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të drogës.

Ministri Tahiri u shpreh se qeveria shqiptare është e angazhuar për një luftë pa kompromis kundër kultivimit të drogës, duke theksuar se siguria e një vendi do të thotë edhe më shumë siguri për gjithë vendet fqinje dhe rajonin.

Ministri Tahiri e ftoi ministrin Italian për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit nga ministri Angelino Alfano dhe kjo vizitë do të realizohet së afërmi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi pati takime me drejtues të lartë të Policisë italiane, ku u diskutuan aspekte të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve në të dy anët e kufirit.