Qyteti i Shkupit vazhdon të keqpërdorë zbrazëtirat ligjore mbi përdorimin e gjuhës shqipe. Këto ditë në kryeqytet mund të vërehen tabela të reja në të cilat janë shënuar emrat rrugësh dhe bulevardesh, vetëm në gjuhën maqedonase. Ndërsa taktizohet me mbajtjen e mbledhjen e radhës së Komisionit për Interpretimin e zbrazëtirave ligjore mbi përdorimin e shqipes, autoritetet përgjegjëse po vazhdojnë me diskriminimin e shqipes.
'Komisioni i cili duhej të shqyrtojë dygjuhësinë në nivel të qytetit të Shkupit, i paralajmëruar nga vetë kryetari i Shkupit Koce Trajanovski se do të mbajë këtyre ditëve edhe mbledhjen e radhës, nuk u takua. Tabelat e vjetra vetëm në maqedonisht vazhdojnë të qëndrojnë në të gjithë qytetin e Shkupit kurse siç mund të shihni këtu prapa meje janë vendosur tabela të reja, gjithashtu vetëm në gjuhën maqedonase.'
Për dallim nga Trajanovski, i cili para 1 jave deklaroi se komisioni do të mblidhet këto ditë, sot zëdhënësi i tij Nedelço Kërstevski tha se anëtarët e komisionit do të mblidhen vetëm pas formimit të Qeverisë së re.
'Jo jo nuk ka asgjë të definuar pasi ky komision u takua njëherë, pastaj filluan zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale dhe ky komision ndërpreu me punën e saj dhe ata thanë se kur të përfundojnë zgjedhjet ata do të vazhdojnë me punën. Tani kishim zgjedhje parlamentare dhe presidenciale dhe ai Komision nuk realizoi takime që mos të keqpërdorej nga ndonjë aspekt politik. Mendoj se këtë javë, përkatësisht gjatë ditës së enjte, ky komision do të takohet, të vazhdojë punën, të shqyrtojë se si është e rregulluar ajo materie në ligjet e Maqedonisë', kishte deklaruar Koce Trajanovski -- kryetar i Qytetit të Shkupit (03.06.2014).
Kushtetuta sqaron në amendamentin V se gjuhë zyrtare është edhe ajo që flasin qytetarët e tjerë, në rast se e kalojnë 20 % e popullatës. Po ashtu, Kodi penal sanksionon ata që pengojnë qytetarin të flasë gjuhën e vetë, dënohen me 3 deri në 5 vjet burg. Valmir Kuçi