'Luftë' hakerave, nis funksionimi i Sektorit kundër Krimit Kibernetik

2015-08-22 0

TIRANE - Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla i ka dhënë dritën jeshile ngritjes dhe funksionimit të Sektorit të Krimit Kibernetik.

Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria e cila përmes një njoftimi për shtyp bën të ditur se Kryeprokurori Llalla ka firmosur urdhërin për fuksionimin e këtij sektori si dhe urdhërin për ngritjen e strukturave të posaçme pranë 8 prokurorive të rretheve, përfshirë edhe Prokurorinë për Krime të Rënda, të cilat do të ndjekin këto lloj krimesh.

Në bazë të këtyre urdhërave, për herë të parë në Prokurorinë shqiptare fillon nga funksionimi njësia e veçantë për veprat penale të krimeve kompjuterike, si edhe të tjera që lidhen me to.

Fillimisht ky lloj hetimi do të realizohet, në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë, Shkodër.

Ndërkohë për të diskutuar mbi fenomenin e krimit kompjuterik dhe tendecat e tij, Prokuroria e Përgjithshme në bashkëpunim me Misionin PAMECA organizuan sot një seminar trajnimi me ekspertë shqiptarë dhe italianë.

Koncepti i krimit kompjuterik që është përpunuar nga Prokuroria shqiptare bazohet në Konventën e Budapestit, sipas të cilës në këto vepra penale përfshihen jo vetëm veprimet me kompjutera, por edhe ato që lidhen me ndërhyrjen në të dhëna, përfshirë ato personale në rrjetet sociale, si edhe në rrjetet e gjera teknologjike dhe bankare.