Geshkovska nuk heq dorë nga akuzat për Monstrën

2015-08-22 0

Prokurorja Gordana Geshkovska vazhdon të këmbëngul se vrasja e pesëfishtë në Smillkovcë është terrorizëm e nxitur nga motive fetare dhe etnike. Në një intervistë për të përditshmen 'Dnevnik' ajo tha se dëshmitë që pala e akuzës i numëroi në fjalën përfundimtare gjykatës bazohen në prova të fuqishme dhe deklarata të dëshmitarëve. Geshkovska i quajti të kota pretendimet që erdhën këto ditë në media për montim të rastit e madje edhe për qëndrim të njëanshëm. Por në fjalën e saj përfundimtare, Geshkovska si prova paraqiti dëgjimin nga të pandehurit të muzikës me motive sipas saj nxitëse, pastaj mos kërkimin e faljes ndaj familjarëve të viktimave, vrasjen e viktimave një ditë para pashkëve e prova tjera që për palën mbrojtjëse nuk mund në asnjë lidhshmëri mes të pandehurve dhe viktimave.

"Sulmuesit, kanë shkrepur armët të Enjten e Madhe, që t'ua bëjnë viktimave, të përgjakshme Pashkët, që t'ua shkatërrojnë fenë. Nga ana tjetër, përzgjedhja e të rinjve maqedonas për ekzekutim, ka qenë me përfundimin se "po vrasim ardhmërinë e shtetit", tha në fjalën e fundit prokurorja Geshkovska.

Avokatët mbrojtës thonë se dëshmitë e përfshira në analizën e prokurorisë nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e pesëfishtë, por në mungesë të dëshmive të reja materiale, prokuroria tenton të përdorë edhe skenarët fetarë dhe kombëtar.

Edhe ekspertët juridik thonë se rasti " Monstra" është proces gjyqësor i montuar, ndërsa fjala përfundimtare e prokurores Geshkovska flet për politizim të gjyqësorit të Maqedonisë. Profesori Jeton Shasivari tha se parandalimi i rasteve të ngjashme me rastin " Monstra" është Strasburgu për shkak se në Maqedoni mungon siguria juridike. Aktivistja për të drejtat e njeriut, Mirjana Najçevska ka kërkuar përgjegjësinë e prokurores Geshkovska e cila me deklaratën e saj ka nxitur urrejtje ndëretnike. Najçevska gjithashtu ka deklaruar se procesi gjyqësor dihej se do të kishte këtë epilog që nga momenti kur vet ministrja e Brendshme, Jankullovska i quajti të akuzuarit, terrorist. Ndërkohë të akuzuarit kanë paditur Qeverinë e Maqedonisë për shkeljen e prezumimit të pafajësisë. Përmes një letre të hapur drejtuar kryeministrit Nikolla Gruevski dhe organeve gjyqësore, të akuzuarit kanë kërkuar 24.5 miliardë euro, ose rreth 12 buxhete shteti, dëmshpërblim material dhe moral për etiketimin e tyre si vrasës dhe kryerës të veprave penale akoma pa filluar e përfunduar procedura gjyqësore. Këtë e kishte deklaruar Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, në konferencën e parë për shtyp, më 1 maj ,ditën e arrestimit të të akuzuarve për rastin 'Monstra'. Valmir Kuçi

Free Traffic Exchange