VALBONE- Në këto ditë të nxehta freskinë e bregdetit duket se po e konkurron turizmi malor apo agroturizmi në Luginën e Valbonës.
E gjendur në mes të Alpeve Shqiptare, Lugina e Valbonës me një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh prej vitit 1996 është park kombëtar.
Në këtë zonë gjenden burimet e lumit të Valbonës, në rrëzë të shpatit lindor e qafës me të njëjtin emër, ku ushqehet me burime karstike në lartësinë 1450 m. Nën ujëvarën e pragut të Valbonës, ujërat e këtyre burimeve zhduken nën zhavorre deri në hyrje të Rragamit.
Dëbora në male që thuajse nuk shkrin asnjëherë gjatë vitit të jep një peisazh të pazakontë për ditët e verës, ndërsa bimësia, lulet dhe pemët janë një mrekulli më vete, me të cilën me të drejtë krenohen vendasit.
Turistët apo pushuesit mund të shijojnë ushqimet tradicionale vendase, të shoqëruara nga mishi I kecit trofta dhe pijet që prodhohen në mënyrë artizanale nga banorët.
Është i vetmi vend në Shqipëri, ku për të shkuar duhet të kalosh nga një shtet tjetër. Për të shmangur mungesën e infrastrukturës për të shkuar në Luginën e Valbonës, duhet të kalosh në Kosovë nga pika kufitare e Morinës, dhe më pas të hysh sërish në drejtim për në Bajram Curri, nga pika kufitare e Qafë Morinës.
Por nuk ka mbaruar me kaq. Janë edhe të paktën 15 kilometra të tjera rrugë e keqe e cila ka mbetur e pashtruar në distancën rreth 30 kilometra që e ndan Luginën e Valbonës nga qyteti i Bajram Currit.
Investimet e rrugëve të mbetura përgjysmë 2-3 vitet e fundit, si dhe prurjet e ulëta të ujësjellësit të ri, janë dy nga problematikat kryesore që mundojnë mrekullinë që I fali Zoti Valbonës.
Për banorët konsiderohet sukses ngritja e ekipit të futbollit të Valbonës në kategorinë e parë, një hap larg superligës, pasi edhe pse ka sportdashës të shumtë, kjo zonë nuk ka patur ekipe të suksesshme në futboll.