LEZHË - Gjatë protestës së tregtarëve të cilët prej 4 ditësh janë ngujuar në ambientet e tregut, tre gra kanë përfunduar në spital për shkaqe shëndetësore.
Janë 150 tregtarë të tregut të lirë në Lezhë, pjesa dërrmuese gra, që qëndrojnë prej 4 ditësh të izoluar në ambientet ku ata ushtrojnë aktivitetin e tyre, pasi protestojnë ndaj tarifës që tatimet kanë përcaktuar për regjistrimin e tyre si biznes.
Lodhja dhe problemet shëndetësore kanë krijuar problemet e para për këta tregtarë. Mbrëmjen e kaluar dy gra janë dërguar me urgjencë në spital pasi ju ka rënë të fiket siç shihet qartë edhe nga këto pamje. Ndërsa sot në mëngjes një tjetër grua është dërguar në spital me urgjencë për të marrë ndihmën mjekësore pasi ka humbur ndjenjat.