A1 Report - Kosova voton sot qeverine e re Valdete Daka votuesja e pare

2015-08-22 1

PRISHTINE- Në gjithë territorin e Kosovës janë hapur 798 qendra të vendvotimit me 2 mijë e 374 vendvotime, ku 1 milion e 782 mijë e 454 persona do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Qytetarët e Kosovës po i drejtohen sot qendrave të votimit për të votuar për Parlamentin dhe qeverinë e re. E para e KQZ-së Valdete Daka, ka votuar në qendrën e votimit 1907E në vendvotimin 01R. Vota e saj ka qenë e para në këtë vendvotim ku edhe janë hap zyrtarisht qendrat e votimit.Daka ka thënë se e ka e ka shfrytëzuar të drejtën për votim dhe shpreson që të gjithë qytetarët të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ajo shpreson se gjithçka të shkojë në rregull.

Liderët e Kosovës, Presidentja e vendit, kryeministri, dhe krerët e partive të mëdha kanë zgjedhur të votojnë që në orët e para të paradites, duke i bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime.

Ndërkaq edhe televizioni "A1 Report" dhe "Shqiptarja.com" po ndjek dhe përcjell hap pas hapi ecurinë e këtij procesi, duke dhënë informacione të vazhdueshme edhe nga gazetarët tanë të dërguar në Kosovë.

Ora 10:15 Voton Jahjaga: Qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese
Paraditen e sotme ka votuar edhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Në përfundim të ushtrimit të së drejtës së saj të votës, presidentja e Kosovës tha se "Bëra obligimin tim si qytetare", ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje.

"Qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese. Me anë të të drejtës së tyre ligjore, qytetarët ndihmojnë vendin. Zgjedhjet dëshmojnë demokratizimin dhe pjekurinë e shtetit", tha Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.