Kosovë, qetësohet situata në Obiliq

2015-08-22 2

Qetësohet situata në Obiliq pas tragjedisë që shkaktoi shpërthimi i fuqishëm në Termocentralin "Kosova A", i cili shënoi 2 viktima. Autoritetet e Kosovës sqaruan se nga termocentrali nuk ka nevojë për panik, duke shuar dyshimet për ndonjë tjetër shpërthim. Nga operacioni i shpëtimit, i ndihmuar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, u gjet vetëm një i mbijetuar, një 23 vjeçar i cili aktualisht kurohet në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Mjekët thonë se megjithë faktin se i riu është jashtë rrezikut për jetën, ai pritet të përfundojë me pasoja. Dy të tjerët që u nxorën nga gërmadhat, ishin të vdekur. Pas përfundimit të ekspertizës mjeko ligjore viktimat e identifikuara si Bashkim Mehana dhe Latif Jashari iu janë dorëzuar familjeve në Vushtri e Kaçanik.
Ndërkohë, pamjet e filmuara nga kamerat e qarkut të mbyllur brenda termocentralit, kanë filluar të bëjnë xhiro në Internet. Në to tregohet shpërthimi në repartin e elektrolizës, edhe pse ende nuk është e qartë mënyra se si ka ardhur shpërthimi. Një ditë më parë, dëshmitarët aludonin se shpërthimi është kryer nga bombolat e hidrogjenit. Autoritetet spitalore dhe shtetërore nuk kanë pranuar të japin detaje të tjera, deri në përfundimin e hetimeve dhe shpalosjen e tyre nga policia. Sipas të dhënave të deritanishme, autoritetet po shqyrtojnë pistën e gabimit njerëzor në ambientin e punës, apo për shkak të rrjetit të amortizuar elektrik. Lidhur me të plagosurit, qysh dje, 12 prej tyre u lanë të lirë për kurim shtëpiak, ndërsa dy të tjerë janë ende nën vëzhgimin e mjekëve, por pa rrezik për jetën. Nga rajoni i Obiliqit, gazetarët në terren njoftojnë se gjithçka ka përfunduar, madje edhe Forcat e Sigurisë që rrethonin vendin, janë larguar nga vendi i ngjarjes. Adrian Kerimi