Miliarderi pro-perëndimor Petro Poroshenko bëri betimin si presidenti i pestë i Ukrainës së pavarur, gjatë një ceremonie në Parlament me pjesëmarrjen e disa presidentëve dhe kryeministrave të huaj. I zgjedhur më 25 maj që prej turit të parë të zgjedhjeve presidenciale me 54,7 % të votave, 48 vjeçari Poroshenko bëri betimin mbi Kushtetutë dhe Ungjillin dhe u deklarua president nga drejtuesi i Gjykatës Kushtetuese. Ai pasoi Viktor Janukoviçin, arratisur nga vendi për shkak të revoltës tre mujore pro-perëndimore në Sheshin e Lirisë në Kiev. Që gjatë betimit, Poroshenko qartësoi linjat e kuqe, duke theksuar se do të refuzonte çdo kompromis me Rusinë mbi orientimin evropian të vendit të tij dhe mbi përkatësinë e Krimesë në Ukrainë. Ai doli madje edhe me një plan paqe, duke garantuar veten në mbrojtje të sovranitetit të vendit.
"Krimea, është, ka qenë dhe do të jetë e Ukrainës. Nuk ka tregtim me të. Bisedime me gangsterë, me vrasës, nuk është pjesë e axhendës time dhe fatit tonë. Për ata që nuk duan t'i lyejnë duart me gjak, le të ulin armët", deklaroi Petro Poroshenko, Presidenti i Ukrainës.
Edhe qytetarët thonë se presin ndryshime, jo vetëm në drejtimin politik të vendit, por mbi të gjitha, lidhur me marrëdhëniet me Rusinë. Një shpresë e tillë, nuk është zbehur ende në Donjetsk, bastionin e separatistëve pro-rusë.
"Mendoj se Poroshenko mund ta ndryshojë situatën, nëse I dëgjon thirrjet e banorëve, të nënave, të atyre që luftuan për këtë liri. Ai duhet të dëgjojë thirrjet e përfaqësuesve të republikave të Donjetckut dhe Luhanskut", u shpreh Irina, banore e Donjetskut.
"Nuk ka alternative tjetër. Besoj që do të ketë ndryshime, veçanërisht pas takimit të djeshëm me Putinin, aktit të njohjes së tij", tha Aleksandar, banor i Donjeskit.
Betimi i presidentit ukrainas Petro Poroshenko u përshëndet menjëherë nga NATO dhe presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, të cilët shprehën në komunikata të ndara mbështetjen e dy institucioneve për Ukrainën, integritetin dhe stabilitetin e saj. Poroshenko u bë president në kohën kur vendi rrezikonte luftën civile. Ai fitoi simpatinë e qytetarëve kur u ngjit mbi një buldozer për të qetësuar manifestuesit e vendosur për të thyer kordonët e policisë para selisë së presidencës më 1 dhjetor. Poroshenko premtoi orientimin e vendit drejt një të ardhmeje evropiane dhe në të njëjtën kohë të normalizonte sa më shpejt marrëdhëniet me Vladimir Putinin. Ai ishte oligarku i vetëm që nuk hezitoi të vendoste burimet e tij financiare dhe mediatike, me stacionin televiziv "Kanal 5" në shërbim të protestave që çuan në rrëzimin e presidentit Viktor Janukoviç. Përveç se specialist i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare, ish ministër i jashtëm dhe ekonomie, Poroshenko gëzon edhe një pasuri të madhe prej 1.3 miliardë dollarësh nga industria e çokollatës. Alsat-M