Nesër në Kosovë do të votohet për përbërjen e re parlamentare. Qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për një nga 30 subjektet politike të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve; 18 parti politike, 7 iniciativa qytetare, 1 kandidat i pavarur dhe 4 koalicione. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka përfunduar me sukses përgatitjet finale për zgjedhjet e së dielës, duke ndarë gjithë materialin e duhur zgjedhor, si dhe caktimin dhe trajnimin e këshillave të vendvotimeve. Për këto zgjedhje parlamentare janë akredituar rreth 30 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Për zgjedhjet e 8 qershorit do të jenë gjithsej 120 kandidatë që garojnë për Kuvendin e Kosovës, ndërsa të drejtë vote kanë 1 782 054 votues, përfshi edhe komunat veriore me shumicë serbe. Misioni i OSBE-së do t'i monitorojë zgjedhjet, së bashku me vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë dhe lokalë, dhe që para fushatës pati vënë theksin tek korrektësia dhe ndjekja e procedurave të procesit zgjedhor. Fushata zgjedhore që zyrtarisht duhej të zgjaste vetëm 10 ditë, u ndërpre një ditë para kohe, vullnetarisht nga subjektet politike për shkak të ngjarjes tragjike që ndodhi në Obiliq. Kosova edhe në këto zgjedhje vazhdon të jetë një zonë zgjedhore. Sistemi zgjedhor është ai proporcional me lista të hapura. Nga 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës, 20 ulëse do të jenë të garantuara për pakicat kombëtare; 10 për pjesëtarët e komunitetit serb, ndërsa 10 për pjesëtarët e pakicave të tjera. Zgjedhjet e nesërme parlamentare, janë të dytat pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Adrian Kerimi