A1 Report - Zgjedhjet ne PD, Basha nxjerr jashte loje senatoret, cakton vete delegatet

2015-08-22 0

TIRANE - Basha fillon të nxjerr jashtë loje konservatorët e Partisë Demokratike. Në momentin kur në kryeqytet bëhet beteja politike me rivalët në pushtet dhe Basha dukej disi i mënjanuar, ai ka përcaktuar të gjithë delegatët që do të zgjedhin kryetarët e PD-së nëpër rrethe.

Burime nga Partia Demokratike pohuan për gazetën "Shqiptarja.com" se në çdo rreth të vendit, përjashtuar Tiranën dhe Korçën janë përcaktuar delegatët e partisë që do të marrin pjesë në zgjedhjen e krerëve të rinj të degëve të PD-së. Konkretisht sipas këtyre burimeve, çdo grupseksion nga ku përcaktohen edhe delegatët janë vendosur persona të tjerë duke larguar kastën e vjetër të PD-së dhe nëpërmjet këtyre delegatëve, do të bëhet edhe zëvendësimi i kryetarëve të partisë nëpër rrethe, çka do të thotë se senatorët e partisë tani më janë edhe më larg kupolës drejtuese.

Strategjia
Strategjia e përdorur nga Basha për të bërë zëvendësimet përkrahësve të senatorëve u bë duke shfrytëzuar debatin e ashpër politik. Konkretisht në aulën e Kuvendit ka më shumë se dy muaj që bëhet një debat për drogën, kohë e cila përkon edhe me procesin e zgjedhjeve të kryetarëve PD-së nëpër grupseksione si edhe të delegatëve. Kësisoj përgjatë gjithë kësaj kohe është bërë një zëvendësim i drejtuesve të strukturave të PD pa u dalluar fare nga pjesa tjetër e opinionit publik, gjë që ka sjellë edhe një ngushtim të pozitave të deputetëve të vjetër të opozitës.

Procesi
I gjithë procesi zgjedhor në Partinë Demokratike ka nisur në dhjetor të vitit 2013 kur Basha hartoi të gjithë strategjinë për të marrë nën kontroll partinë. Në fillim të vitit 2014 ai përzgjodhi koordinatorët e PD-së në rrethe të cilët bënë edhe spastrimin e anëtarësisë nga persona fiktiv, si edhe futën mbështetës në këto lista të cilët kanë përzgjedhur krerët e rinj të seksioneve dhe gripseksioneve. Pas 3 muajsh proces, ai hapi garën e zgjedhjeve në Tiranë. Fillimisht nisi edhe në kryeqytet spastrimin e anëtarësisë dhe më pas futjen e personave të rinj në radhët e PD-së, proces ky që vijon.

Por në momentin kur hapi garën për Tiranën dhe nxori udhëzuesin e dytë, klima politike në vend kaloi në një ashpërsim të madh, ndërsa zgjedhjet në struktura vijuan normalisht. Duke përfituar nga takimet në kuadër të protestave, Basha ka bërë edhe manovrimet e fundit në strukturat e partisë në rrethe, duke nxjerr jashtë lojë të gjithë senatorët e partisë të cilët gëzonin një farë përkrahje nga baza. Pas kësaj, pritet që tani më të nisin zgjedhjet për krerët e degëve të PD-së, proces i cili do të bëhet nga delegatët e zgjedhur nga Basha, pra edhe krerët e rinj në degët e partisë janë sërish njerëz të Bashës.